Tenderi i fiskalizimit thyen rekord për ankimime, përfundon sërish në KPP, shkak vlerësimi
Procedura mbi 7.7 milionë euro për mirëmbajtjen e sistemit të fiskalizimit është ankimuar sërish, duke zgjatur më tej një proces që ka kaluar mbi një vit.
Tenderi për mirëmbajtjen e sistemit të fiskalizimit, i hapur në prill të vitit të kaluar, është rikthyer sërish në Komisionin e Prokurimit Publik (KPP), pas një ankese të re në fazën e vlerësimit të ofertave. Një nga operatorët pjesëmarrës ka shprehur rezerva mbi këtë fazë të procedurës, e cila ka një fond limit mbi 7.7 milionë euro.
Kjo procedurë konsiderohet ndër më problematiket për nga kohëzgjatja dhe numri i ankimimeve, duke shënuar një rekord negativ. Procesi ka zgjatur plot një vit dhe është shoqëruar me ndërprerje dhe pezullime të shpeshta.
Procedurë e zgjatur dhe me pezullime
Për herë të fundit, KPP hoqi pezullimin e tenderit në muajin shkurt, duke i hapur rrugë vijimit të procedurës që u mbyll më 5 mars 2026. Megjithatë, ankesa e fundit e rikthen sërish procesin në pikën e shqyrtimit.
Autoritet kontraktor për këtë tender është Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), ndërsa objekti i kontratës lidhet me “Mirëmbajtjen e Modulit të Menaxhimit të Kontrollit të Faturimit” për Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve.
Vonesat në tenderë të kësaj natyre nuk janë të reja. Edhe projekte të tjera në fushën e teknologjisë së informacionit, si sistemi i Thesarit apo AFMIS, kanë kaluar në procese të gjata ankimimesh, duke sjellë në disa raste edhe efekte zinxhir në funksionimin e shërbimeve publike.
Rëndësia e sistemit të fiskalizimit
Sipas dokumentacionit zyrtar, ky projekt synon të garantojë funksionimin e plotë të sistemit të fiskalizimit për një periudhë 24-mujore. Sistemi përfshin si komponentët softuerikë, ashtu edhe pajisjet fizike dhe është i hostuar në Qendrën e të Dhënave Qeveritare pranë AKSHI-t.
Ky sistem përdoret nga rreth 125 mijë tatimpagues dhe nga administrata tatimore, duke e bërë funksionimin e tij kritik për operacionet financiare dhe fiskale në vend.
Dokumentet theksojnë se ndërprerjet nuk tolerohen, madje as për qëllime përditësimi, dhe shërbimet duhet të jenë funksionale 24 orë në ditë, 7 ditë në javë. Çdo problematikë në këtë sistem mund të ndikojë drejtpërdrejt në aktivitetin e bizneseve dhe në administrimin fiskal.